Një projekt madhor po merr formë në Përqevë të Klinës. Atje, KEDS ka angazhuar ekipe të shumta të cilat po punojnë tash e disa javë për të krijuar një rrjet të ri elektrik për banorët e asaj ane.
Shtyllat e vjetra të drurit dhe kabllot e shumta elektrike, të cilat përveç problemeve në furnizim me energji shkaktonin edhe pasiguri për banorët, po largohen për t’u zëvendësuar me shtylla të betonit dhe kabllo të sigurta për komunitetin.
Linja e tensionit të mesëm po ndërtohet komplet e re ndërsa rrjeti i tensionit të ulët i është nënshtruar rikonstruktimit e bashkë me të, po vendoset edhe një trafo e re e cila do të ketë kapacitete të mjaftueshme për furnizim cilësor e stabil me energji për të gjithë banorët.
Ky projekt, i cili pritet të përfundojë deri në fund të qershorit, kap vlerën prej mbi 70 mijë euro.
I kënaqur me këto investime shprehet kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili thotë se përmes këtyre investimeve, po rritet siguria në komunitet dhe po përmirësohet kualiteti i furnizimit me energji elektrike.
“Pas kërkesave të njëpasnjëshme të qytetarëve për investime në tërë territorin e Klinës dhe takimeve që kam pasur me menaxhmentin e KEDS-it, unë e falënderoj menaxhmentin që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë si qytetarë dhe si komunë që të fillojë investimet. Dhe, jam shumë i lumtur që në komunën e Klinës do të ketë investime të shumta nga ana e KEDS, të domosdoshme, sidomos në fshatin Përqevë ku ndodhemi sot… Besoj që është një lajm i mirë për të gjithë ne, sepse ky projekt veç ka avansu… Tani do të kemi mundësi të shohim pothuajse çdo ditë investime të KEDS në Klinë”, tha ai.
Ndërkaq, zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, thotë se përkundër gjendjes së rënduar të rrjetit që kanë trashëguar, kanë arritur që përmes këtyre investimeve të zgjidhin problemin e furnizimit me energji.
“KEDS ka trashëguar një rrjet me gjendje të rënduar gjithandej vendit, mirëpo me investimet e reja, të cilat po realizohen këtu në fshatin Përqevë të Klinës furnizimit me energji elektrike po i bëhet zgjidhje afatgjatë, do të thotë njëherë e mirë po bëhet zgjidhja e këtij problemi, me të cilin banorët e kësaj ane janë ballafaquar për dekada me radhë. Përmes këtij investimi po bëhet ndërtimi i një linje komplet të re të tensionit të mesëm, po bëhet rikonstruimi i tensionit të ultë si dhe është bërë vendosja e një trafoje, e cila do të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të furnizuar banorët e kësaj ane me energji të qëndrueshme dhe kualitative”, tha ai.
Ai tregon edhe për kohëzgjatjen e projektit, teksa thotë se përmes këtij investimi po rritet siguria në furnizim me energji elektrike.
“Ky projekt, i cili pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji, kap vlerën e investimeve prej mbi 70 mijë euro dhe me përfundimin e këtij investimi rritet siguria në komunitet pasi shtyllat ekzistuese të drurit po zëvendësohen me shtylla të reja të betonit dhe njëkohësisht rritet siguria në furnizim me energji elektrike, furnizim kualitativ dhe të qëndrueshëm dhe që përmes këtij investimi po iu bëhet zgjidhje ankesave të konsumatorëve tanë të kësaj pjese të Klinës”, tha ai.
Ata që më së shumti po i gëzohen investimeve të KEDS-it, padyshim se janë banorët e fshatit.
Përfaqësuesi i tyre, Agush Gashi tregon për KosovaPress se kjo ishte një kërkesë e kamotshme e tyre, e të cilën e kishin pritur me padurim.
Ai kujton se muaj më parë kishin pasur një rrjet të dobët elektrik dhe kabllo elektrik që jo rrallëherë binin në tokë, duke rrezikuar kështu edhe banorët e fshatit e posaçërisht fëmijët.
“Jemi diku 1 mijë e 200 banorë, e kemi pasur rrjetin shumë të dobët përpara. Tash është kryer një punë e bukur… Kemi pas shtylla të viteve 70 këtu, gjysma e fshatit ka punuar… Gjysma e fshatit e kemi pasur rrymën shumë të dobët qe 4 vjet e këtej… Nuk mbahet mend çfarë pune ka bërë KEDS në fshatin e Përqevës”, thotë ai.
KEDS edhe në të kaluarën ka investuar në rrjetin elektrik të Klinës. Vetëm vitin e kaluar, kjo kompani ka investuar mbi 170 mijë euro në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët, ku kanë kanë përfituar qindra konsumatorë.