Qeveria gjermane s’e komenton Lajçakun: Për heqjen e vizave duhet të vendosin të gjitha shtetet e BE-së

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është pyetur para disa ditësh nga një hulumtues në Forumin Ballkanik lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nëse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë t’i besojnë BE-së pasi që shumë premtime nuk janë realizuar.

E përgjigja e Lajçak ishte cilësuar mjaft arrogante, pasi që ka deklaruar se “nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”.

Lidhur me deklaratat e Lajçak, lajmi.net i është drejtuar edhe qeverisë gjermane, por këta të fundit nuk e kanë parë të nevojshme të komentojnë deklaratat e Lajçakut.

“Gjermania mbështet përpjekjet e përkushtuara të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak. Nuk është nevoja të komentojmë nga ana jonë vërejtjet e tij. Liberalizimi i vizave duhet të vendoset nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të qeverisë gjermane.

Deklaratat e Lajçak nuk kanë pranuar t’i komentojnë as nga Bashkimi Evropian, të cilët në një përgjigje për lajmi.net, para disa ditësh e kanë arsyetuar Lajçakun duke thënë se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti.

Kujtojmë se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës ndaj Lajçak, i cili sipas hulumtuesit Samir Behariq, ka thënë se është bërë trend që Bashkimi Evropian të kritikohet për liberalizimin e vizave, ndërsa ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të shkojnë tek vendet e BE-së që po e bllokojnë liberalizimin e vizave megjithëse janë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.