Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tha se sekretariati ka përgatitur specifikat për materialet e votimit si dhe disa masa shtesë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 17 tetor, 2021.
Sipas tij, sekretariati ka përgatitur dhe planin për stafin që do të përfshihen në këto zgjedhje.
“Për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të vitit 2021, sekretariati ka përgatitur edhe specifikat për materialet e votimit. Të gjitha këto specifika do të përcillen në Këshillin për Operacione Zgjedhore. Krahas kësaj, sekretariati ka përgatitur dhe planin për stafin që do të përfshihet në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Ahmetaj po ashtu tregoi se prej masave të reja që do të ndërmarrin është edhe mbikëqyrja e procesit të numërimit nëpër Qendrat e Numërimit (QNR) me kamera elektronike.
Ai tha se këto kamera do t’i huazojnë nga Shqipëria, të cilat janë përdorur në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur atje.
“Meqë QNR është e vëzhguar 24 orë, si masë shtesë do të vendosim kamerat e sigurimit ku do të bëhet regjistrimi me kamera i procesit të numërimit nëpër tavolina. Kamerat janë planifikuar, të cilat kamera i ka përdoruar Shqipëria dhe mendojmë që t’i huazojmë. Ndërsa pjesa e materialeve të regjistrimit do të mbulohet nga sekretariati”, tregoi ai.
E sa i përket masës tjetër shtesë që ka ndërmarr sekretariati, ai theksoi se do të jetë edhe rekrutimi i stafit në procesin e zgjedhjeve lokale.
“Masë tjetër shtesë për procesin zgjedhor kemi parapa edhe procedurat e rekrutimit të stafit, që të ofrojnë dëshmi që nuk janë të inkriminuar në vepra penale, dhe nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë familjare me ndonjërin nga kandidatët, etj”, tha ndër të tjera, Ahmetaj.