Numri i madh i aksidenteve ka mobilizuar Policinë e Kosovës për të parandaluar këtë dukuri.
Organet e rendit kanë ftuar qytetarët të denoncojnë rastet kur ka shkelje në trafik duke sjell edhe fotografi dhe pamje.
Këto kohët e fundit po publikohen edhe nga mediat dhe me këtë rast po gjobiten edhe vozitësit e papërgjegjshëm.
Por, jo rrallëherë xhirues të këtyre pamjeve po janë personat që gjendet në timon duke vozitur makinat e tyre.
Se vozitësit nuk kanë të drejtë të inçizojnë gjatë ngasjes së automjetit po e thotë eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Ahmeti tha se iniciativa është e mirë por se duhet të bëhet pa i shkelur rregullat e komunikacionit.
” Inçizimet apo fotografimet nga ana e ngasësve të automjeteve është e mirë, mirëpo ngasësit gjatë inçizimit nuk kanë të drejtë ta ngasin automjetin. Pasagjeri ka të drejtë të inçizoj apo fotografoj mirëpo jo shoferi gjatë ngasjes. Unë e mirëpres një gjë të tillë por pa i shkelë rregullat e komunikacinit”.
Klankosova.tv ka pyetur edhe në Policinë e Kosovës se a është shkelje e rregullave një gjë e tillë?
Në një përgjigje për Klankosova.tv, nga Zyra për Informim e Policisë thanë se nëse ka dëshmi të tilla policia do t’i trajtojë edhe këto raste me përgjegjësi.
“Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet në trafik me qëllim të shtimit të masave të sigurisë në trafik. Pos patrullimeve të rritura, pos shtimit të pikave të kontrollit të automjeteve, pos kontrollimit të shpejtësisë me radar, pos aktiviteteve të mbikëqyrjes së trafikut edhe me dron, policia ka shtuar bashkëpunimin me qytetarë/media të cilat po dërgojnë dëshmi (video dhe foto) të rasteve të rrezikimit të trafikut publik, raste të tejkalimit në vijë të plotë etj. Gjoba nga këto dëshmi u janë shqiptuar kundërvajtësve (persona civil dhe juridik), por edhe zyrtarëve të institucioneve përfshirë policë”.
“Pretendimi i juaj se xhirimet janë bërë nga drejtues automjeti, nga dëshmitë që i kemi trajtuar ne, nuk mund të vije të një konstatim i tillë, një automjet nuk mund të jetë vetëm drejtues, por edhe pasagjer. Nëse ju si media keni dëshmi të tilla na i përcillni dhe polica do ta trajtojë rastin siç është duke trajtuar çdo rast tjetër dhe ndëshkuar kundërvajtësit”.
E njohësi i teknologjisë së informimit, Liridon Bahtijari, tha se përdorimi i pajisjeve teknologjike gjatë ngasjes shkakton shpërqëndrim tek vozitësit.
Ata të cilët përdorin telefonin gjatë ngasjes mund të gjobiten me 75 euro sipas ligjit në fuqi.