Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se kjo parti tashmë i ka nënshkrimet e nevojshme që ta çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes, Vjosa osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, shkruan lajmi.net.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Deliu – Kodra ka thënë se shkarkimi i Dakës është vendim politik.
“Shkarkimi është politik dhe dëmton rëndë demokracinë. Shkarkimi i kryetares së KQZ-së po bëhet pata zgjedhjeve komunale në vend. Vendimi rrezikon mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale. PDK konsideron se shkarkimi është kryekëput politik. Presidentja Osmani ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë ajo.
Ajo, ka ftuar vendet e QUINT-it të reagojnë për këtë vendim të presidentes Osmani.
“PDK fton ambasadorët e vendeve mike të QUINT-it të reagojnë. PDK i ka nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani ta çojë në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ajo.
Deliu – Kodra, ka shtuar se ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka është kërcënuar nga aktivistë të VV-së.