KQZ-ja mblidhet nesër për zgjedhjet lokale

Pas katër muajsh, më 17 tetor, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Kësaj radhe për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Ky institucion ka dërguar në Qeveri një kërkesë për buxhet shtesë në shumën e rreth 3.9 milionë eurove, meqenëse një shumë e caktuar e buxhetit për zgjedhjet lokale ishte shpenzuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Ekonomia Online se ky institucion të enjten do të mbajë mbledhjen e parë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve ku pritet të merren disa vendime për përgatitjen e këtij procesi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje gjatë ditës së nesërme (e enjte, 17 qershor) dhe se njëra nga pikat e rendit të ditës është miratimi i planit operacional. Në këtë plan d1o të listohen të gjitha aktivitetet për organizimin e këtyre zgjedhjeve si dhe kohën se kur duhet të kryhen ato”.

“Pra, në këtë plan operacional, do të përcaktohen saktë se kur subjektet politike duhet të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje si dhe për të dorëzuar emrat e kandidatëve; aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë vendit dhe periudha e votimit përmes postës; akreditmin e vëzhguesve; dhe dhjetëra afate të tjera”, tha Elezi.

Ai bëri të ditur se ky institucion nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe për këtë arsye kanë kërkuar buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës.

“KQZ-ja e ka dërguar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për buxhet shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale. Kjo kërkesë vjen pasi një shumë e caktuar e buxhetit për zgjedhjet lokale është shpenzuar për organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të cilat ishin të paplanifikuara për këtë vit. Kërkesa buxhetore e KQZ-së për buxhet shtesë është në shumën e rreth 3.9 milion eurove”.

Po sipas Elezit, në tërësi buxheti i planifikuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në shumën e 8.1 milionë eurove.

“Koston përfundimtare të një procesi zgjedhor ne mund ta digjem vetëm pasi të përmbyllen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me atë proces, ndërsa aktualisht mund të flasim vetëm duke u mbështetur në planifikim. Buxheti i planifikuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në shumën: 8 milion e 114 mijë e 293 euro”.

“Në këtë buxhet është planifikuar edhe organizimi i raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Kjo është arsyeja kryesore se përse zgjedhjet lokale kanë një kosto më të lartë sesa zgjedhjet parlamentare”, deklaroi Elezi për Ekonomia Online.

Zgjedhjet e fundit lokale janë mbajtur më 22 tetor të vitit 2017.

Aktualisht, institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve nuk e ka përbërjen e plotë. Presidentja ka emëruar vetëm 9 nga 11 anëtarët e KQZ-së. Vjosa Osmani, para shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale ka shkarkuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka dhe ka emëruar kryetarin e ri, Kreshnik Radoniqin.