COVID-19, kur bota mund ta arrijë imunitetin e tufës

Kur do të arrijë bota të vaksinojë 80 për qind të të gjithë të rriturve, që është niveli i supozuar nga shkencëtarët për të prodhuar “imunitetin e tufës” kundër Covid-19?

Përgjigja e shumicës së njerëzve është viti 2023 ose 2024, gjë që sugjeron një pesimizëm të thellë në lidhje me ecurinë e vaksinimeve jashtë botës së vendeve të pasura.

Kjo është edhe arsyeja pse zotimet në samitin e fundit të G7-ës për të dhuruar 1 miliardë doza vaksinash për vendet e varfra gjatë këtij viti dhe vitit 2022, disave u duken si të pavlera. Por dëshpërimi është një ndjenjë e gabuar, ashtu si vetë-mburrja e G7-ës për këtë gjest është reagimi i gabuar.

Nëse mund të rruhet niveli aktual ditor i vaksinimeve, bota mund të arrijë qëllimin e saj deri në janarin e vitit 2022. Hapi i parë drejt një veprimi efektiv, është ta bindësh veten se një problem është i zgjidhshëm.

Për këtë qëllim, Komisioni Global për Politikën Post-Pandemike, një grupim i pavaruri 34 politikë-bërësve dhe mendimtarëve të nivelit të lartë nga e gjithë bota, ka bërë llogaritjet e tij për të dalë me një numërim global të vaksinave. Ne zbuluam se sfida është shumë më e menaxhueshme nga sa e imagjinonim, dhe ajo mund të përmbushet shumë më shpejt sesa supozojnë nga qeveritë e G7-ës.

Aritmetika është e thjeshtë, por së pari duhet të vendosni nëse duhet të përfshini apo jo Kinën, vendin më të populluar në botë, si një frymëzim apo një përjashtim. Sipas “Our World in Data”, Kina përbën aktualisht 17-20 milionë nga 33-36 milionë doza që administrohen çdo ditë në të gjithë botën.

Pra duke marrë parasysh edhe Kinën, procesi përfundon në pak më shumë se 200 ditë. Pa Kinën, ai zgjat deri në 370 ditë. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, pasi mund të arrijmë vijën e finishit në korrik dhe jo janar 2022.

Popullsia e botës është aktualisht 7.9 miliardë njerëz, rreth 5.85 miliardë prej të cilëve janë të rritur (74 për qind). Nëse synimi është një normë imunizimi prej 80 për qind, duhet të vaksinohen 4.7 miliardë njerëz, gjë që në një regjim vaksinimi me dy doza kërkon 9.4 miliardë doza vaksine.

Deri më 11 qershor “Our World in Data”, raportoi se në mbarë botën janë administruar tashmë më shumë se 2.3 miliardë doza, ndaj mbeten pak më shumë se 7 miliardë doza. Nëse kjo shifër pjesëtohet me një shifër mesatare ditore të vaksinimeve në rang global (34 milionë), dhe do të shihni se procesi përfundon për afro 211 ditë, pra në janar 2022.

Është e vërtetë:7 miliardë doza vaksinash është një shifër shumë e madhe. Por shihni se çfarë po ndodh:çdo ditë, Kina po administron 17-20 milionë doza; India po administron pak më shumë se 3milionë. Madje edhe Afrika po administron gati 900.000 doza vaksinash në ditë, një rritje prej 37 për qind që nga fillimi i muajit.

Për më tepër, këto shifra janë ende në rritje në shumicën e vendeve. Ndonëse jo çdo vend me të ardhura të mesme do të jetë në gjendje të mbajë ritmin e Kinës, të paktën ky duhet të jetë qëllimi motivues. Deri vonë, pengesa kryesore dhe burimi i frustrimit, ishte furnizimi i kufizuar me vaksina.

Por tani prodhimi po rritet ndjeshëm. Prodhimin global mujor i vaksinave të aprovuara nga të paktën një organ i rëndësishëm rregullator, është rritur nga 420 milionë doza në muajin prill në 822 milionë doza në maj.

Kriza e shkaktuar nga Covid-19 ka krijuar pabarazi sistematike, të cilat do të duhet të adresohen nëse duam të ndërtojmë ndonjëherë shoqëri më të qëndrueshme, elastike dhe më gjithëpërfshirëse. Dy prodhuesit e vaksinave anti-Covid në Kinë, Sinovac dhe Sinopharm, përbënin më shumë se gjysmën e këtij totali (pra gati 3-fishim të prodhimit, nga 164 milion doza në prill, në 454 milion në maj).

Edhe prodhimi i dozave të vaksinave Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca në Bashkimin Evropian u dyfishua, nga 69 milionë në 140 milionë. Ndërsa numri i dozave të Pfizer-BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson në Shtetet e Bashkuara u rrit nga 71 milionë në 105 milionë.

Shifrat e vetme zhgënjyese të prodhimit vijnë nga India, ku prodhimi ra nga 76 milionë doza në prill në vetëm 62.6 milionë në maj. Gjatë muajve të ardhshëm, pengesa kryesore nuk do të jetë më mungesa e furnizimit, por financimi dhe sfidat logjistike, sidomos në vendet e varfra me infrastrukturë dhe mbulim të kufizuar të kujdesit shëndetësor.

Këto pengesa mund të zvogëlohen nëse vendet e pasura e nxjerrin më shpejt në treg prodhimin e tyre, dhe nëse vihen në dispozicion më shumë fonde ndihme dypalëshe dhe shumëpalëshe, për të mbështetur sistemet e shëndetit publik dhe blerjen e vaksinave.

Mos harroni:Kina ka të ngjarë të luajë një rol të madh dhe ndoshta udhëheqës në këtë proces. Si prodhuesja më e madhe në botë e vaksinave anti-Covid (edhe pse një larmi më pak të sofistikuar sesa ato perëndimore), Kina do ta ketë imunizuar popullsinë e saj deri në shtator ose aty afër, duke i dhënë asaj kapacitete të bollshme të prodhimit për të furnizuar botën (së bashku me fondet).

Kjo është arsyeja pse zotimet e vendeve perëndimore në samitin e G7-ës, edhe pse janë të mirëpritura, janë në fakt disi prapa tendencës. Vendet e G7-ës, po ofrojnë miliarda doza në një kalendar të përshtatshëm për ta, të ndarë midis fundit të 2021 dhe vitit 2022.

Por kërkesa aktuale nga vendet e varfra dhe ato me të ardhura të mesme,është shumë më emergjente. Kjo do të thotë se Kinës po i ofrohet një treg i madh dhe shumë mundësi diplomatike, që mund t’i shfrytëzojë përmes shpërndarjes së500 milionë dozave çdo muaj gjatë 4 muajve të fundit të vitit 2021.

Nëse do të ndodhë kjo gjë, afati çuditërisht i shkurtër që ka dalë nga llogaritjet tona, mund të shkurtohet më tej. Pjesët rurale të Afrikës dhe pjesët e paqëndrueshme të Amerikës Latine do të përballen me sfidat më të mëdha, por ato mund të kapërcehen përmes ndihmës nga qeveritë e vendeve të pasura, përfshirë Kinën, si dhe nga fondacionet e mëdha filantropike. Fushatat e vaksinimit masiv në botën në zhvillim nuk janë ndonjë gjë e re. Suksesi varet nga bujaria, vullneti politik dhe besimi se zgjidhja është sa e nevojshme, po aq edhe e arritshme.

Me variante të reja që po shfaqen me shpejtësi, dhe me shpërthimet e reja në disa vende që dukej se kishin nën kontroll virusin, Covid-19 mbetet ende një problem global. Tani duhet ta dimë që ai kërkon një zgjidhje globale. Rritja e fundit e furnizimeve dhe llogaritja e fundit e Komisionit Global, tregojnë se ajo që na nevojitet është brenda mundësive tona për t’u realizuar. /abcnews.al

Shënim: Bill Emmott, ish-kryeredaktor i “The Economist”, aktualisht është bashkë-drejtor i Komisionit Global për Politikën Post-Pandemike.