BE-ja dhe SHBA-ja do të bashkëpunojnë edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor

Pas vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në Bruksel dhe pjesëmarrjen e tij në samitin e NATO-s dhe në një samit me BE-në, diplomatët evropianë janë të bindur se do të rritet bashkëpunimi dhe koordinimi edhe në veprimet në Ballkanin Perëndimor. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel për veprim të përbashkët në rajon është biseduar në disa nivele gjatë qëndrimit të delegacionit të presidentit amerikan në Bruksel në fillim kësaj jave.

Edhe në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga samiti BE-SHBA përmendet ky bashkëpunim.

“Ne kemi qëllimin që të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes tyre, dhe duke mbështetur reformat kyçe për integrime në BE”, thuhet në një pikë të kësaj deklarate të përbashkët.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e quajti të rëndësishme edhe faktin se takimi i parë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq u zhvillua të njëjtën ditë kur u mbajt edhe takimi i liderëve të institucioneve të BE-së me presidentin amerikan, Joe Biden.

Diplomatët evropianë thonë se prej ardhjes së Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi me administratën e Shteteve të Bashkuara në shumë fusha, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor ku, siç thonë këta diplomat “BE-ja dhe SHBA-ja kanë interesa të përbashkëta dhe angazhohen për vlerat e njëjta”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke njohur rolin e BE-së si lehtësues kryesor i këtij dialogu, por duke ofruar edhe ndihmën aktive amerikane në kërkim të marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur se zgjidhja do të duhej të jetë njohja e ndërsjelltë.

Të njëjtën e kanë thënë edhe disa liderë të shteteve kryesore të BE-së por vet Bashkimi Evropian është përmbajtur nga përmendja eksplicite e njohjes pasi 5 shtete anëtare ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën (15 qershor) në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.

Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.