Çka u tha për Kosovën në deklaratën që doli nga Samiti i NATO-së?

NATO përkrah dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe mbetet e përkushtuar që të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë, përmes misionit të KFOR-it. Këto janë dy, në mesin e pikave të shumta, për të cilat u dakorduan në Bruksel, vendet anëtare të aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Në këtë deklaratë të NATO-së, në të cilën ndër të tjerash u përmenden kërcënimet që po i kanosen botës nga vende si Kina dhe Rusia, u tha se Ballkani Perëndimor është një rajon strategjik për aleancën, andaj mbeten të përkushtuar në ofrimin e stabilitetit.

“Ne e vlerësojmë partneritetin NATO-Serbi. Forcimi i marrëdhënieve mes dy palëve do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Ne e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe i nxisim palët që ta shfrytëzojnë këtë moment dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në këtë deklaratë.

Tutje, sipas kësaj deklarate, NATO mbetet e përkushtuar në sigurimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për NATO-në, siç theksohet nga historia jonë e gjatë e bashkëpunimit dhe operacioneve. NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon. Ne do të intensifikojmë përpjekjet tona në rajon dhe do të forcojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik, në mënyrë që të mbështesim përpjekjet për reformë, promovim të paqes dhe sigurisë rajonale. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë jetike për bashkëpunim rajonal dhe integrimin euro-atlantik”, vazhdon deklarata.

Sa i përket Kosovës, NATO thotë se do ta vazhdojë angazhimin përmes misionit të KFOR-it, i cili ka për qëllim që të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

“Ne mbetemi të përkushtuar në angazhimin e vazhdueshëm të NATO-së në Kosovë, përfshirë atë përmes Misionit të KFOR-it, i cili kontribuon në një mjedis të qetë dhe të sigurt, me qëllim që të ofrojë stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe të ndërtojë kapacitetet e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Çdo ndryshim në qëndrimin tonë për KFOR-in mbetet i bazuar në kushte, jo në afate kohore”, thuhet tutje në këtë deklaratë.

Në Samitin e NATO-së janë përmendur edhe raportet me aleancës me Rusinë, për të cilat u tha se janë në pikën më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftoftë.

Tensionuese u cilësuan edhe raportet me Kinën, shtet ky, të cilit iu bë thirrje që të tregojë maturitet dhe të mos nxisë tensione.