Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka deklaruar se mbi 10 përqind e nxënësve nuk kanë marrë pjesë fare në mësimin në distancë apo mbi 32 mijë nxënës.
Ajo tha se Qeveria ka dështuar që të ofrojë mundësi që arsimi të jetë cilësor, derisa shtoi se nxënësit e prindërit kanë pasur vështirësi të shumta gjatë mësimit online.
Deliu tha se të njëjtit nuk e kanë pasur mbështetjen e institucioneve të Kosovës qoftë edhe duke iu mundësuar pajisje teknologjike.
“Mbi 10 përqind e nxënësve nuk kanë marrë fare pjesë në mësim në distancë, këta ndryshe do të regjistrohen si nxënës të cilët kanë braktisur shkollën gjatë kohës së pandemisë. Më saktë janë 32 mijë e 863 prej tyre të cilët nuk kanë ndjekur mësimin online, përderisa prej raportimeve prej komunave shifrat arrijnë deri në 20 përqind prej tyre të cilët nuk kanë arritur që të ndjekin fare mësimin online. Është krijuar madje ndarje shumë e madhe në mësimnxënie mes grupeve të cenueshme dhe grupeve të tjera për arsye të qasjes së limituar në mjete elektronike që mundësojnë vijueshmërinë e mësimit në distancë siç janë kompjuteri, tableti apo edhe telefoni”, tha ajo.
Deliu u shpreh se semestri i dytë i vitit të kaluar është pothuajse i humbur në tërësi. Ajo tha se shkollat dhe komunat aktualisht janë të braktisura prej kësaj qeverie.
“Mbi 300 mësimdhënës janë liruar nga detyra pikërisht për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe përkundër se ishte ndarë buxhet deri në 500 mësimdhënës shtesë një masë e tillë asnjëherë nuk u zbatua efektivisht deri më tani. Komunat dhe shkollat aktualisht janë të braktisura prej kësaj qeverie, në fakt kjo qeveri dhe z.ministre nuk e di nëse ka vizituar një shkollë të vetme deri më tani përveç që është përzier në kompetencat e disa prej shkollave. Asnjë mbështetje për familjet të cilat nuk kanë mundësi dhe kushte që fëmijët e tyre të sigurojnë pajisje dhe mjete të tjera të teknologjisë”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së tha se në shkolla aktualisht mungojnë mjetet elementare të mbrojtjes nga infektimit. Ajo u shpreh se nuk respektohen masat e vendosura për mbrojtje nga COVID-19 në shkolla, u përmendi matjen e temperaturës së stafit e nxënësve para hyrjes në objektet shkollore.
Deliu deklaroi se qeveria ka dështuar të sigurojë vaksina për mësimdhënësit, madje tha se për interesa të veta kryeministri Kurti ka refuzuar vaksinat nga Shqipëria.
“Kjo qeveri më shumë se 60 ditë të saj në qeverisje nuk e ka bërë asnjë përpjekje për të siguruar ndonjë vaksinë për të mbrojtur shëndetin e tyre, madje ju e dini që ka refuzuar edhe kur këto vaksina janë ofruar donacion nga Republika e Shqipërisë, janë refuzuar nga kryeministri Kurti. Sot mësimdhënësit duhet ta dinë se këtë refuzim e ka bërë vetëm e vetëm për hesape të fushatës dëshpëruese në zgjedhjet në Shqipëri. Pra, një kryeministër i Republikës së Kosovës që ambicien e tij politike për pushtet dhe jashtë vendit të tij e vë mbi qytetarët e mbi mësimdhënësit e vendit”, tha ajo.
Ajo e ka quajtur skandaloz vendimin për organizimin e mësimit plotësues, pasi që tha se mungojnë të dhëna se sa është numri i fëmijëve që nuk kanë ndjekur mësimin.