Bislimi nervozohet në Komision kur pyetet për punësimin e nipit

Besnik Bislimit, zëvendëskryeministër i Kosovës nuk i ka pëlqyer aspak një pyetje që deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ia bëri sot në Komision Parlamentar.

Deliu-Kodra e pyeti Besnik Bislimin për raportimet se qeveria ka propozuar nipin e tij, Gëzim Tosuni që të monitorojë punën e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Ndaj kësaj pyetjeje reagoi Bislimi duke thënë se nuk është aty për t’ua zgjidhur deputetëve dilemat.

“Nuk jam ftu këtu me i zgjidh dilemat, çka kuptoni këtu, kur tronditeni kur habiteni, kam ardh më raportu për fushën e integrimeve evropiane, atë pjesë e zgjidhni në kuvend, unë ju përgjigjem pyetje tuaja që kanë lidhje me komisionin”, tha ai.

Kjo shkaktoi edhe reagimin e Deliut, e cila tha se këto çështje nuk zgjidhen me deputetë dhe se Bislimi duhet ta bëj atë për çka është i thirrur, të raportojë.

E Bislimi pastaj reagoi sërish duke folur konkretisht për çështjen në fjalë, duke thënë se Tosunin nuk e ka nip.

“Te rasti i z.Gëzim Tosumi që ju deklaroni se kam ngritur dorën, pyetja juaj është a e keni ngritur dorën për nipin e juaj, a jeni ju dakord që nipi juaj të ulet afër jush? A është në rregull që nipi juaj është ulur afër jush në parlament? Gëzim Tosumin nuk e kam unë nip, e kam dorëzuar ankesën time ndaj “psudoportalit Insajderi”. Unë nuk e kam nip Gëzim Tosumin. Për atë ju pyeta juve për nipin e juaj”, tha Bislimi.

Deliu më pas u kundërpërgjigj duke thënë se Bislimi me këtë qasje po e shfaq arrogancën e tij.