Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen dy herë gjatë kësaj jave. Të enjten do të jetë seanca e parë plenare, ndërsa të premten pritet të jetë interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për faljen e gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë Covid-19.
Këtë e bëri të ditur iniciuesi i kësaj interpelance, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Sipas tij, interpelanca për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, e thirrur nga AAK-ja, për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë do të mbahet të premten.
“Sapo u mbajt takimi dhe u vendos që të etjen të ketë një seancë dhe të premten në ora 10:00 të ndodh interpelanca me çështjen e faljes së gjobave për bizneset dhe në këtë takim u arsyetua kërkesa jonë për interpelancë ndaj ministrit të Financave.Të hyrat që vine nga këto gjoba janë të pa planifikuara dhe një rezolutë për faljen e gjobave do të ndihmonte ekonominë dhe gastronominë. Të falën gjobat vetëm për sektorin privat gjatë kohës pandemisë”, tha ai.