Komisioni Hetimor i Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka paraqitur raportin përfundimtar që vlerëson se presidentit i Republikës ka shkelur 4 nene të Kushtetutës.
Gjatë mbledhjes së mbajtur paraditen e sotme, kreu i komisionit hetimor, Alket Hyseni teksa prezantoi raportin përfundimtar, tha se ky dokument do të votohet unanimisht gjatë ditës së sotme dhe do të paraqitet në parlament brenda 7 ditëve.
“Qartësisht rezulton se Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, antimazhorancë, që bie ndesh me nenin 89 të Kushtetutës, ku parashikohet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari të tjera. Presidenti nuk duhet që të përfshihet në fushatë zgjedhore kundër një ose disa forcave politike, apo të mbështesë grupe të tjera. Qëndrimet e veta publike, të ashpra kundër mazhorancës, Presidenti i ka mbajtur në mënyrë konstante. Komisioni Hetimor çmon se Presidenti nuk qëndroi mbi palët dhe me qëndrimet e tij humbi funksionin e të qënit faktor ekuilibri”, tha Hyseni.
Kuvendit i duhen 94 vota që presidenti i Republikës të shkarkohet nga detyra.
Partia Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet në Shqipëri për herë të tretë, ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën me gjuhën e përdorur në deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.
Deputetët socialistë kanë thënë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë.”
Kreu i shtetit, Ilir Meta nuk është paraqitur në asnjë prej seancave, pavarësisht thirrjeve qe iu bënë nga Komisioni Hetimor dhe nga deputetët e PS-së.
Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një Kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.
Në rast të shkarkimit, presidenti Meta do të bëhej presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik. /REL