Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po qëndrojnë në Aeroportin e Gjakovës, ku po njoftohen prej afër me aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”, ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane që sivjet po mbahet edhe në Republikën e Kosovës.
Krerët e institucioneve gjithashtu do t’u adresohen sot ushtarëve në kampin ushtarak, ku prej 10 ditësh po qëndrojnë pjesëtarët e Forcës që janë pjesë e “Defender Europe 21”.
Operacionet e FSK-së në kuadër të kësaj stërvitje kanë filluar prej 17 majit dhe po zhvillohen në operacione në Devë e Babaj të Bokës, në Gjakovë.
Janë 339 pjesëtarë të Forcës të përfshirë në “Defender Europe 21”.
Objektivi kryesor i komandantit të FSK-së për këtë ushtrim është validimi i kapaciteteve të këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.
Ushtrimi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili sivjet e ka përfshirë edhe Kosovën, sot e ka ditën kryesore derisa më 3 qershor do të përfundojë ridislokimi i pjesëtarët të Forcës nëpër kazermat e përhershme në Kosovë.