Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të paaftë opozitën, ndërsa ka thënë se Qeveria që ai e udhëheq është e ka vetëm një problem, që sipas tij është mungesa e kritikës. Kjo pjesë nga fjala e Kurtit ka shkaktuar reagime të deputetëve, të cilët i kanë replikuar nga ulëset e tyre.
Kurti tha se opozita nuk po e konsideron problemin, që sipas tij, nuk po di që ta kritikojë Qeverinë.
“Unë këtu shoh një lloj paaftësie për të bërë kritikë. Ky është problemi. Edhe rreziku më i madh për Qeverinë tonë është mungesa e kritikës. Ne s’kemi rrezik tjetër. E ju keni nevojë ose për paragjykim ose për shpifje që të na bëni kritikë që, duke qenë se bazohet në shpifje ose paragjykim, nuk është më e tillë. Ky është problemi. Ky është problemi ynë, se ju duket se nuk e konsideroni problem”, tha Kurti.
Duke ironizuar, Kurti tha se mund t’i ndihmojë opozitës me ide për kritika.
“Ne kemi problem të madh me juve, sepse jeni të paaftë për të bërë kritikë. Qeverisja demokratike ka nevojë për kritikë të opozitës, të cilën s’po e shohim e as s’po e dëgjojmë. Andaj, më lejoni që ta shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Unë mund t’ju japë ide se si të na kritikoni, mirëpo ju duhet ta kërkoni një gjë të tillë”, tha Kurti.