Haradinaj-Kurtit: Po jepni sinjale se jeni Qeveria më e korruptuar se të gjitha të tjerat

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në seancën e sotme plenare tha se qeveria Kurti po jep sinjale se është Qeveria më e korruptuar se të gjitha qeveritë e kaluara.

Haradinaj foli edhe për subvencionet e fermerëve dhe vreshtarëve dhe kërkoi nga qeveria që të bëjë pagesën e ratës së dytë ndaj tyre.

“Unë i kam bërë një shkresë ministrit Peci dhe kam kërkuar nga ju që të më sqaroni a do të mundeni me pagua ratën e dytë të subvencioneve të cilën e ka paraparë qeveria Hoti me pakon e rimëkëmbjes ekonomike e cila është pritë të kryhet në muajin prill, ndërsa shumë fermerë e vreshtarë po e presin pakon tjetër të asaj pako, dmth ratën e dytë, dhe kërkojmë nga ju të na tregoni kur do të mundeni me kry këtë dhe si do të shkojë kjo, sepse është me rëndësi si do të procedohet me këto pagesa për fermerët dhe vreshtarët”.

Ai shtoi se qeveria Kurti po bashkëpunon me ata biznesmenë për të cilët vazhdimisht ka akuzuar të gjitha qeveritë e kaluara, veçmas kur Haradinaj ishte kryeministër.

“Qeveria Kurti e ka nis keq me korrupsionin. Ministra nga kjo qeveri kane akuzuar lidhur me Nexhat Krasniqin nuk bënë të bashkëpunojmë me ata sepse janë baba të krimit, dhe si rezultat i presionit të këtyre deputetëve që sot janë ministra, kanë ndodh edhe shkarkime. Tani nuk e di nëse Nexhat Krasniqi i ka larë gjynahet dhe është bërë burrë i mirë, se tani ai nuk është më baba i krimit dhe është në punët e ministrit Liburn Aliu cili i kryen funksionet e veta, njeriu për të cilin ka dëgjuar e tërë Kosova, e i cili ka qenë temë për të cilin shumë herë jam detyruar të jap sqarime si kryeministër i Kosovës, ndërsa tani nuk po arrijë ta kuptoj nëse ka ndryshuar Nexhat Krasniqi apo Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti”.

Haradinaj para deputetëve ka treguar një fotografi në të cilën shihet zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi bashkë me pronarin e një kompanie të cilës i ka dhënë tenderë menjëherë pas ardhjes në pozitë.

“Në fotografi kam zëvendësin e ministrit Aliu, Hysen Durmishi i cili shihet në një drekë pune me sipërmarrësin e punëdhënësit e tij të mëhershëm para se me u bë zëvendësministër. Nuk dua t’ia përmendi emrin, shihet që janë duke hëngër drekë, pra në momentin që ka hy në ministri, puna e parë pra tenderin e parë e ka marrë kjo kompani”, tha Haradinaj.

Ai i tha kryeministrit Kurti të ketë kujdes sepse po përcjell sinjale se kjo qeveri është më e korruptuara se të gjitha ato të kaluara.“Unë e kuptoj se disa tema janë të vështira, çështjen e reciprocitetit unë e kam thënë se po të isha unë nuk e bëj sepse mendoj që kemi hyrë me një etapë të re, kur ka qenë taksa kemi pasur një situatë ndryshe. Tani jemi në një etapë të re dhe ju nuk po e bëni, por të paktën mos i zhgënjeni qytetarët sepse në këtë çështje ju kanë pritë dhe vërtetë duhet të jeni të kujdesshëm, dhe nuk duhet të jepni sinjale që ju jeni më të korruptuar se të gjithë të tjerët që kanë qenë deri sot”, përfundoi Haradinaj.