Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është biseduar për çështjen e dialogut, dhe në këtë takim Abdixhiku tha se Kurtit i është bërë një qartësim, një kërkesë dhe një ofertë.
“Biseduam për çështjen e dialogut. Kryeministri na njoftoi për qëndrimet dhe pritjet e tij, ndërkaq ne bëmë një qartësim një kërkesë dhe një ofertë. Qartësimi ishte për dokumentet e dorëzuara dhe rikonfirmuam se të gjitha dokumentet që i ka pasur qeveria e kaluar I janë dorëzuar kryeministrit. Bëmë një kërkesë për pozicionin politik që kjo qeveri duhet ta ketë dhe prezentojë dhe po e presim një pozicion të tillë. Dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam një dokument mbi pozicionin politik që ne mendojmë se Kosova duhet ta ketë. Ky dokument përmban parimet që duhet të mbrohen: Diskutimet mbi bazën e vendimit të GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial dhe ruajtja e karakterit unitar dhe rendit kushtetues”, tha iai.
“Përderisa kryeministri e ka këtë dokument mund ta përdorë si platformë të tij. Përderisa vepron në bazë të saj, LDK është në rregull”, tha ai.
Abdixhiku foli edhe për pjesëmarrjen e SHBA-ve në dialog, pa të cilën ai tha se as nuk duhet të zhvillohet ky proces.
“Pjesëmarrja e SHBA-së në dialog është e pakontestueshme dhe pa pjesëmarrjen e saj as që duhet të ketë dialog. LDK është pjesë e dialogut dhe Kosova nuk ka nevojë për ekipë negociatore dhe për këtë ka vendim të Kushtetueses. Kurti e ka këtë obligim”, tha tutje Abdixhiku.