Mbyllen gërmimet në Kizhevak, bëhet thirrje për hapjen e arkivave ushtarake në Beograd

Në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës sot është përmbyllur procesi i gërmimeve.

Në këtë lokacion janë gjetur dhjetë trupa, ndërkohë që vetëm në fazën e dytë të gërmimeve të vazhduar më 5 maj janë gjetur shtatë prej tyre. Për të njëjtit priten analizat e ADN-së, por që kjo varrezë masive ndërlidhet me atë të Rezallës.

Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person nuk është i dënuar. Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupa të kosovarëve, të cilët u vranë, masakruan dhe u zhdukën.

Po ashtu, nga Kizhevaku, delegacioni i Kosovës ka kërkuar edhe hapjen e arkivave ushtarake në Beograd.

Kjo varrezë masive është zbuluar me ndihmën e fotografimeve të Kryqit të Kuq, ku për muaj të tërë kanë qëndruar ekspertë nga Kosova të cilët kanë marrë pjesë gjatë procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore.

Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovë, ka vizituar sot lokacionin e varrezës masive në Kizhevak. Në mbyllje të gërmimeve, kryetari i delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli tha se në këtë lokacion janë gjetur trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar, e të cilët janë sjellë në këtë lokacion me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

“Vazhdojmë të kemi edhe mbi 1600 persona të zhdukur, për fatin dhe vendndodhjen e cilës nuk dihet. Angazhimet tona do të jenë edhe në të ardhmen që të mësojmë sa më tepër, përkitazi me vendndodhjen e tyre. Në këtë kuadër kemi edhe një numër të lokacioneve të dyshuara edhe brenda Serbisë, që besojmë se do të trajtohen javëve dhe ditëve në vijim. Sikurse është bërë publike nga ana e zyrtarëve serbë, thuhet që në brendësi të territorit të Serbisë gjenden 16 varreza masive me trupa të vrarëve dhe të masakruarve. Ndërkaq, ky është lokacioni i pestë ku është gjetur varreza masive. Pra, kërkojmë përgjigje edhe për 11 lokacione të tjera. Në të cilën mund të gjenden trupat e të vrarëve”, ka thënë Makolli.

Makolli tha se kjo varrezë ndërlidhet me varrezën masive të zbuluar në vitin 2014 nga cila janë identifikuar 54 trupa nga fshati Rezallë i Komunës së Skenderajt.

“Në dy identifikime që janë bërë deri më tash, janë identifikuar viktima që i takojnë masakrës së Rezallës. Ndërkaq vazhdojnë të mbesin edhe më tutje një numër i tyre të zhdukur. Pra, nga kjo që mësojmë këtu vërehet që ka pasur një planifikim të mirë të autoriteteve jo vetëm për vrasjen e masakrimit të viktimave, por edhe zhdukjes së kufomave. Dhe kjo dëshmon shumëfish me vetë faktin që janë sjellë brenda territorit të Serbisë. Kemi lokacione në Kosovë që edhe më tutje na mungon një numër i të zhdukurve. Na bën të mendojmë që edhe më tutje ka trupa në këto lokacione. Por kjo varrezë është e ndërlidhur me masakrën në regjionin tonë, Drenicë, konkretisht në fshatin Rezallë”, ka deklaruar ai.

Makolli nga Kizhevaku i Serbisë ka kërkuar nga autoritetet serbe që sa më parë të tregojnë për vendndodhjen e trupave të të pagjeturve.

“Prapa nesh është lokacioni në të cilin janë gjetur trupat, ndaj të cilëve, është bërë krim i trefishtë, së pari duke i vrarë e masakruar. Krimi i dytë duke i zhvarrosur dhe bartur në këtë pjesë. Dhe krimi i tretë fshehja për 22 vjet me radhë e trupave të të vrarëve dhe masakruarve, sikur e thashë me qëllim të fshehjes e gjurmëve të krimit”, tha ai.

Makolli u ka bërë thirrje kolegëve nga Beogradi që të ndihmojnë në mbledhjen e informatave. Po ashtu, ka bërë të ditur që ende askush nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime.

Ai ka kërkuar edhe hapjen e arkivave ushtarake në Beograd, që të dihen lokacionet e mbi 1600 personave që tash e më shumë se dy dekadave nuk dihet gjë për ta.

“Hapja e arkivave ushtarake në Beograd do të na mundësojë qe të gjejmë nëse jo gjithë, shumicën e personave të vrarë dhe lokacionet ku ata gjenden. Sepse edhe vrasjet po edhe bartja e kufomave e pastaj fshehja e tyre shihet që ka ndodhur me urdhrin e kreut më të lartë shtetëror. Pra, informatat e besueshme gjenden në arkivat ushtarake. Dhe në momentin kur ato do hapen për opinionin apo për neve si mekanizma në hulumtimin e fatit të personave të pagjetur, atëherë do të kemi shumë të lehtë t’i lokalizojmë. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në kryerjen e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësinë dhe duhet të marrin dënimin e merituar. Ani pse jemi në kohë të vonuar, por megjithatë nuk do të ketë asnjëherë qetësi për familjet, përderisa përgjegjësit nuk përballen me drejtësinë. Numri i atyre që kanë kryer këto krime është i madh”, tha ai.

Kryetari i delegacionit të Serbisë, Velko Odaloviq ka treguar për ecurinë e gërmimeve në Kizhevak, duke thënë se do të vazhdojnë kërkimet, por se për këtë iu nevojiten informacione konkrete.

“Ne e vlerësojmë që familjet meritojnë informacion nga të dy anët në mënyrë identike, ajo që është e rëndësishme të dini është se javën e kaluar, me kërkesë të një familje nga Rezala, ne i lejuam anëtarët e familjes të ishin këtu në këtë vend, ata vizituan vendndodhjen, kështu që ne donim ta plotësonim kërkesën e tyre. Ne nuk kemi asnjë arsye për të fshehur ose mos lejuar ndonjë gjë në këtë kohë. Ne duam që i gjithë ky proces të zhvillohet në një mënyrë të tillë që thjesht të rivendosim besimin së pari te mekanizmi i grupit të punës, por gjithashtu t’u japim familjeve sa më shumë përgjigje sepse 1639 njerëz janë ende të pa gjetur nga Kosova, dhe kjo është diçka që, përkundër gjithçka që kemi bërë deri më tani, është shqetësuese”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar për numrin e trupave që janë gjetur në këtë varrezë masive.

“Vitin e kaluar, më 16 nëntor kemi hasur në mbetjet e para kockore. Janë gjetur apo identifikuar dy raste të reja dhe një ribashkim, i cili ndërlidhet me gjysmën e trupit i cili është dorëzuar me vitin 2015 në rastin e Rudnicës. Kjo ka qenë indikatori që mund t’i takojnë regjionit të Rezallës. Ndërsa, në fazën e dytë, e cila ka filluar më 5 maj dhe sot po mbyllet zyrtarisht janë minimum shtatë persona për të cilit duhet t’i presim analizat e ADN-së. Janë nëntë trupa dhe një ribashkim, në total dhjetë persona”, tha Gërxhaliu.

Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që u vranë e zhdukën gjatë luftës.