Mbi 3% të vaksinuar, këtë javë priten 3510 doza

Procesi i vaksinimit të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, do të vazhdojë sot në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Deri më tani numri i qytetarëve të vaksinuar ka arritur në 56 mijë.

Për të vazhduar me këtë proces, Qeveria e Kosovës ani pse është kritikuar vazhdimisht për numër të vogël të të vaksinuarve, ka bërë të ditur se këtë javë pritet të pranoj edhe një kontingjent tjetër me vaksina.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë deklaruar se këtë javë do të pranojnë edhe 3510 doza të vaksinës.

“Planifikojmë dhe presim që deri në fund të muajit të kemi në total edhe 139 mijë vaksina, ashtu që të mirëmbahet procesi i vaksinimit pa ndërprerje dhe të përmbushet synimi ynë për vaksinim të qytetarëve”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Mbi 3500 doza të vaksinës Pfizer kundër coronavirusit kanë ardhur në Kosovë në fillim të këtij muaji si donacion i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq sot 500 punëtorët të cilët janë vaksinuar në Kukës me datë 20 dhe 21 mars, pritet të paraqiten në sallën “1 Tetori” për të marrë dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca.