Presidenti Ademi uron FC Drita 

Presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar FC Drita, e cila si nënkampione, krahas kampionit FC Prishtina dhe fituesit të Kupës së Kosovës, KF Llapi, do ta përfaqësojë futbollin e Kosovës në garat evropiane.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Të nderuar drejtues, trajnerë, futbollistë, staf teknik dhe tifozë të FC Drita, më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju uroj pozitën e nënkampionit të Superligës dhe sigurimin e daljes së sërishme në garat evropiane.
 
Edhe gjatë këtij edicioni me paraqitjet tuaja treguat se jeni njëra nga klubet më të organizuara në futbollin tonë dhe deri në javët e fundit luftuat për vet kreun e renditjes.
 
Sigurisht se ambiciet e klubit tuaj dhe të tifozëve “Intelektualët” ishin më të mëdha, por konkurrenca e fortë gjatë këtij edicioni garues dhe rëndësia që ka pozita e nënkampionit, gjithsesi juve dhe tifozëve tuaj ju bën të ndiheni të lumtur me këtë arritje.
 
Andaj, duke ju përgëzuar për këtë sukses uroj të na përfaqësoni denjësisht në arenën evropiane, ashtu sikurse një vit më parë.
 
Ndërkaq, klubet e tjera i falënderoj për angazhimin maksimal nën masat anti-Covid, si dhe uroj që edicionin e ri të garave ta nisim pa Covid dhe me praninë e tifozëve në stadiume.
 
Ju priftë e mbara!

Me respekt,
Agim Ademi – President i FFK-së