Dikur thoshte se 5 këshilltarë mjaftojnë, tash Albin Kurti ka dyfishuar numrin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë njëri nga politikanët më të zëshëm për shpenzimet e buxhetit publik të Kosovës.

Natyrisht, këto kritika Kurti i kishte drejtuar ndaj secilës Qeveri që ishte në pushtet, përderisa partia që ai udhëheq ishte në opozitë.

Para se të bëhej kryeministër për herë të parë në vitin 2019, Kurti kishte deklaruar publikisht se është kundër që të angazhohen numër i madh i këshilltarëve për kryeministrin e vendit.

“Ndoshta pesë këshilltarë mjaftojnë. 35 janë si të mos jetë asnjë, ose tregojnë një paaftësi fundamentale të Kryeministrit”, kishte deklaruar Kurti gjatë fushatës elektorale.

Video Player

00:00
00:26

Në një listë të publikuar sot në media, del që kryeministri Kurti ka angazhuar 10 këshilltarë të tij, teksa në sy bien edhe pagat e majme të tyre.

Përderisa Kurti si kryeministër merr 1 mijë e 500.93 euro pagë mujore, rreth 200 më pak merr këshilltari i tij, njëherësh edhe Shef i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili paguhet 1 mijë e 321.30 euro.

Pas Luan Dalipit, vjen zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili merr 600.60 euro, pastaj këshilltarët Shenaj Shala, Jeton Zulfaj, Fëllanza Podrimja, Valbonë Mehmeti, Riad Nuredini, Rozafa Kelmendi, Merdzan Osmani, Edison Beçiri, Egzonit Jakupi, të cilët paguhen poashtu me pagë prej 600.60 euro dhe në fund këshilltari Erzen Vraniqi, i cili nuk merr pagë për shërbimin e tij.