Në fshatin Rogovë të Komunës së Gjakovës, më 12 maj, i dyshuari A.K kishte tentuar ta privonte nga jeta bashkëshorten e tij, F.K, të cilën dyshohet se e goditi disa herë me kaçavidë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.K., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3, lidhur me nenin 28, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Prokuroria ka sqaruar edhe rrethanat në të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
“Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 12 maj 2021, në shtëpinë e të pandehurit A.K., në fshatin Rogovë, Komuna e Gjakovës, pikërisht në dhomën e fjetjes, ku kishte tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën, F.K., përderisa e njëjta ishte duke fjetur, e godet me kaçavidë disa herë në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në komunikatë.