Gjermania për dialogun Kosovë-Serbi: Kyç për perspektivën evropiane

Shteti gjerman ka përsëritur qëndrimin se dialogu me Serbinë, është rruga kyçe për integrim evropian të Kosovës. Këtë e ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në një bisedë telefonike që ka pasur të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Është prioritet kyç për Gjermaninë që të sigurojë perspektivë brenda Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, i ka thënë ministri i Jashtëm Heiko Maas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një thirrje telefonike. Dialogu i normalizimit me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbetet kyç për këtë epilog”, thuhet në njoftim të MPJ-së gjermane.

 

 

Në anën tjetër, Kurti e ka quajtur produktive bisedën me Maasin.

Ai ka thënë se në bisedë me të është folur për lidhjet e fuqishme bilaterale.

“Gjermania është anëtare kyçe e BE-së dhe ndajmë të njëjtin vizion për një Ballkan Perëndimor demokratik, të përkushtuar për pranim të plotë në BE dhe NATO”, ka thënë Kurti në Twitter.

Maas kishte deklaruar edhe në vizitën në Kosovë, javë më parë, se dialogu me Serbinë është rruga e Kosovës drejt Evropës.