Aktakuzë për krim të organizuar ndaj pesë personave

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve me inicialet T. S, A. B, S. R, F.R dhe A .Rr., për shkak të dyshimit se të njëjtit aktivisht morën pjesë në veprimtari kriminale të grupit, për të kryer një apo më shumë vepra penale, duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuoj në realizimin e veprimtarisë kriminale.

Të akuzuarit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së, në lidhshmëri edhe me veprën “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike” nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

​Gjithashtu, i akuzuari, A.B., ka mbajtur në pronësi dhe në kontroll, një armë gjahu, dy tytëshe dhe 32 fishekë të kalibrave të ndryshëm në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.