Administratës Tatimore e Kosovës ka njoftuar se për katër muajt e parë të këtij viti është duke shënuar trend shumë pozitivë në inkasimin e të hyrave, ku ky trend i inkasimit ka tejkaluar edhe pritshmërit që ATK ka pasur për periudhën janar-prill 2021.
Sipas ATK, gjatë kësaj periudhe, ka inkasuar 201.3 milionë euro tatime, ku në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë rritje për 37.2% apo 54.6 milionë euro më shumë, ndërsa në krahasim me planin kanë inkasuar 15.8 milionë euro më shumë ose 8.6%.
“Bazuar në trendin e të hyrave nëpër muaj, pritet që të kemi realizim të planit të të hyrave edhe për muajt në vijim. ATK inkurajon gjithë tatimpaguesit që të deklarojnë dhe paguajnë obligimet e tyre tatimore, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi ynë do të jetë në gjendje të përballet me sfidat e zhvillimit ekonomik dhe pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.