Pesë vite nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA – FFK me letër speciale

Kosova ka mbushur pesë vite që kur u anëtarësua në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA.

Mes shumë sakrificave dhe mundimesh, legjenda e futbollit (tashmë i ndjerë), Fadil Vokrri, ia doli që ëndrrën e shumë futbollistëve ta bënte realitet.

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në kongresin e UEFA-s në Budapest, më 3 maj 2016, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota, duke u bërë kështu anëtarja e 55-të e kësaj organizate evropiane të futbollit.

Foto: FFK

Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një mesazh, aty ku është drejtuar klubeve, futbollistëve, gjyqtarëve dhe shumë personazheve të tjera për pesë vjetorin e pranimti në UEFA:

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë/e, trajnerë, gjyqtarë, ish-zyrtarë të futbollit, ish-futbollistë, anëtarë të FFK-së, ju Dardanë e tifozë tjerë të klubeve, partnerë afaristë, donatorë e gazetarë sportivë.

Foto: FFK

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Dikur numëronim vitet e vuajtjes e të rezistencës, me shpresën që secili vit që kalonte të ishte i fundit në rrethana të vështira e jashtë familjes së madhe të futbollit evropian.

Dëshira dhe vullneti ynë nuk u venit asnjëherë, edhe pse ndonjëherë arritja e objektivit dukej sa sfiduese po aq e vështirë dhe me shumë pengesa. Megjithatë, falë përkushtimit të shumë gjeneratave dhe vazhdimësisë së futbollit, më 3 maj të vitit 2016 në Kongresin e Budapestit, arritëm që ta thyejmë izolimin e padrejtë dhe të bëhemi pjesë e familjes së madhe – UEFA.

Foto: FFK

E tani, kemi fatin që t’i numërojmë me plot krenari vitet si anëtar të komunitetit të futbollit evropian. Ky 5-vjetor na gjen më të konsoliduar e me më shumë përvojë.

Pa dyshim përvoja e 25 vjetëve të izolimit na shërbeu për ta menaxhuar më lehtë edhe situatën e re të krijuar nga pandemia globale Covid-19, që ka goditur jo vetëm futbollin, por çdo sferë të jetës.

Foto: FFK

Në këtë ditë të rëndësishme dua të falënderoj edhe njëherë të gjitha gjeneratat e futbollistëve dhe të gjithë punëtorët dhe aktivistët e futbollit që nga mëvetësimi e deri më sot. Vendosmëria e tyre për të mos u ndalur edhe atëherë kur s’kishte kushte për jetë e lëre më për futboll bëri që ne të arrijmë këtu ku jemi sot.

Meritat i takojnë gjithsecilit prej tyre, si atyre që derdhën djersë në fushën e gjelbër, ashtu edhe atyre që pronat e tyre i vendosën në shërbim të futbollit në kohën e okupimit, si dhe donatorëve të shumtë që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta mbajtur gjallë futbollin.

Foto: FFK

Në këtë përvjetor dua të nderoj dhe të vlerësoj punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës në periudha të ndryshme, duke filluar nga kryetari i parë pas mëvetësimit, Agim Bytyçi, pastaj Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjenda Fadil Vokrri, së bashku me të gjithë bashkëveprimtarët e tyre ndër vite.

Gjatë këtyre pesë vjetëve si pjesë e UEFA-s kemi bërë progres të madh në të gjitha aspektet dhe jemi dëshmuar si storie suksesi. Tanimë FFK gëzon respektin dhe simpatinë e UEFA-s dhe të gjitha federatave simotra.

Për një cikël të shkurtër kemi arritur ta dëshmojmë potencialin tonë, si me ekipet kombëtare, po ashtu edhe me klubet, por edhe me masivizimin e futbollit tek të rinjtë dhe tek femrat.

Foto: FFK

Anëtarësimi në UEFA pashmangshëm na ka ndihmuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës, ku tashmë janë duke u realizuar shumë projekte, derisa në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe ato lokale besojmë se do të bëjmë edhe më tepër në vitet e ardhshme.

Jemi me fat që kemi një rini që është e dhënë pas futbollit, andaj duhet ta shfrytëzojmë talentin dhe potencialin e saj, duke ia krijuar kushtet e nevojshme për lojën më të popullarizuar jo vetëm tek ne, por në mbarë rruzullin tokësor.

Gjithashtu jemi të bekuar që kudo në Evropë kemi talente. Ata çdo herë do të jenë të mirëseardhur për të kontribuar për atdheun e baballarëve të tyre dhe për ta ngritur sa më lart nivelin e ekipeve zinxhirë të kombëtares sonë.

Shpresoj që sa më parë të krijohen kushtet që t’i shohim sërish në stadium tifozët tanë ‘Dardanët’, pasi përveç që i japin motiv futbollistëve, me kreativitetin e tyre gjatë këtyre pesë viteve kanë krijuar imazh mbresëlënës në opinionin botëror.

Në fund, dua të falënderoj edhe një herë të gjithë miqtë dhe përkrahësit e FFK-së, posaçërisht DFB-në dhe bashkëpunëtorët tanë në Gjermani, FSHF-në me presidentin Armand Duka, zyrtarin e atëhershëm ligjor të UEFA-s, Alasdair Bell për interpretimin dhe argumentimin e shkëlqyeshëm të Statutit të UEFA-s si dhe këshilltarin e ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, Jerome Champagne.

Në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv ia uroj këtë 5-vjetor të gjithë komunitetit të futbollit, me besim se në të ardhmen do t’u gëzohemi edhe shumë arritjeve tjera.

Le të vazhdojmë me krenari e përgjegjësi, duke rikujtuar të kaluarën plot lavdi e sakrificë!

Urime e na priftë e mbara!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së.