Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime, në kongresin e UEFA-s, Kosova u pranua si antare e 55-të e kësaj organizate.
Prej këtij momenti, hapat e vazhdimit tutje kanë qenë të shpejtë dhe jashtëzakonisht voluminoz, teksa fansat kosovarë kanë përjetuar momente krenarie e zhgënjimi, shkruan Periskopi.
Po flisnim për kualifikim në Kampionatin Evropian, derisa ende ishim nën euforinë e pranimit që konsiderohej sukses në vete.
Sidoqoftë, e ardhmja duket edhe më premtuese, sidomos sa i përket zhvillimit të mëtutjeshëm të futbollit kosovar.
Implementimi i VAR dhe përmirësimi i infrastrukturës mbetën dy sfidat kryesore, të cilat pritet të adresohen së shpejti.
Një prej atyre që ka kontribuar shumë në pranimin e Kosovës në organizatat si UEFA e FIFA është presidenti i Federatës së Futbollit Shqiptar, Armand Duka.
Me rastin e përvjetorit të pestë të pranimit të Kosovës në UEFA, Periskopi ka kontaktuar numrin 1 të FSHF-së, për ta pyetur si i sheh zhvillimet me futbollin kosovar në këtë gjysmë dekade.
”Futbolli në Kosovë ka bërë hapa gjigant përpara në të gjitha drejtimet infrastrukture, organizimi i FFK-së dhe klubeve, gara Kombëtare, e sidomos ne paraqitjen e ekipeve përfaqësuese,” tha fillimisht ai.
”Meshkujt shkuan një hap larg Euro 2020 , gjë e cila do të na kishte gëzuar shumë të gjithëve. Por edhe ekipet U-21 , U-19 e U-17 , e femrat kanë nderuar futbollin kosovar.”
”Të gjithë ndjehemi shumë mirë kur shohim këto zhvillime dhe gjithashtu komode për bashkëpunimin (e FSHF-së) me Agim Ademin e FFK-në.”