Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, e cila ka dhënë mbështetje të plotë të Norvegjisë për proceset e nevojshme të reformave dhe për ambiciet e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Kryeministrja Solberg e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës, duke vlerësuar lart marrëdhëniet shumë të mira bilaterale dhe bashkëpunimin konstruktiv midis dy vendeve në shumë fusha. Ajo shprehë besimin se këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të kryeministrit Kurti.
Kryeministrja e Norvegjisë thekson se integrimi i mëtejshëm euro-atlantik është çelës për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ajo siguron mbështetjen e plotë të Norvegjisë për proceset e nevojshme të reformave dhe për ambiciet e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Më tej, ajo cilëson se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte një hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim, ndërsa siguron se Norvegjia do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojë të sigurojë ndihmë në këtë proces.
Në përmbyllje të letër urimit, kryeministrja Solberg shprehë dëshirën për t’u takuar me kryeministrin Kurti dhe për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.