Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendi synon të fillojë vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12 vjeç nëse vaksina Pfizer merr aprovimin për t’u administruar tek adoleshentët.
Spahn premtoi vaksinimet për fëmijët mbi moshën 12 vjeç gjatë pushimeve verore.
“Më së voni gjatë pushimeve të verës, ne do të jemi në gjendje të vaksinojmë mbi 12-vjeçarë sapo të bëhet autorizimi”, tha ai duke shtuar se qershori nuk duhet të mbingarkohet me pritjet.
Drejtori i Përgjithshëm i BioNTech, Ugur Sahin, vaksina e të cilit prodhohet me firmën amerikane Pfizer, i tha Der Spiegel se ata kanë të ngjarë të aplikojnë për autorizim për të administruar dozën e tyre te moshat 12 deri në 15 vjeç të mërkurën e ardhshme.
Ai shtoi se analiza e Agjencisë Evropiane të Barnave për të dhënat e provës zgjat katër deri në gjashtë javë mesatarisht.
Ministri gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të durueshëm. Gati një e katërta e gjermanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër Covid-19.