Franca distancohet nga “non-paper” për ndryshimin e kufijve: Nuk jemi burim i saj

Ambasada e Kosovës në Francë ka mohuar se shteti francez është përfshirë në të ashtuquajturin “non-paper” të publikuar nga ‘Koha Ditore’ e që ka të bëjë me ndryshimin e kufijve.

Përmes një reagimi në Twitter, ambasada franceze ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burim i atij “non-paper” dhe se të dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin non-paper franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagim.

Lidhur me këtë çështje gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se publikimi në fjalë është “Fake News”.

Rohde deklaroi se mund të ketë dokument, por se nuk është francezo-gjerman, derisa shtoi se e përkrahin dialogun e drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi ai në Twitter.