Hoxhaj takon pensionistët, kërkon nga Qeveria t’i kthejë shtesat financiare për ta

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka takuar kryetarët e pensionisteve dhe pensionistëve të Kosovës, Mybera Vërbovci Kasumi dhe Shaban Kajtazi, me të cilët ka biseduar lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti për të zvogëluar ndihmën financiare për pensionistët.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj thotë se shqetësimet e kësaj kategorie janë më se të drejta dhe se solidarizohet me pensionistët për padrejtësinë që iu është bërë.

“Shqetësimet e pensionistëve, prindërve e gjyshërve tanë, janë më se të drejta dhe duhet të gjejnë mbështetjen e secilit. Si kategoria më e rrezikuar gjatë pandemisë, ne do të kërkojmë nga Qeveria edhe në Kuvend që të kthejë ndihmat dhe të shtojë mbështetjen financiare për ta”.

Postimi i plotë: 

Sot dëgjova nga afër shqetësimet e mëdha të pensionistëve në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti për të zvogëluar ndihmën financiare për ta. Zonjës Mybera Verbovci-Kasumi dhe zotëriut Shaban Kajtazi, kryetarëve të pensionisteve e pensionistëve të Kosovës, u shpreha solidarizimin tim të plotë me këtë padrejtësi. Shqetësimet e pensionistëve, prindërve e gjyshërve tanë, janë më se të drejta dhe duhet të gjejnë mbështetjen e secilit. Si kategoria më e rrezikuar gjatë pandemisë, ne do të kërkojmë nga Qeveria edhe në Kuvend që të kthejë ndihmat dhe të shtojë mbështetjen financiare për ta.