Haxhiu paralajmëron shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Korrektues

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçit.

Ky i fundit sipas Haxhiut ka bërë shkelje kur SHKK ka dhënë në shfrytëzim një pronë të ministrisë së Drejtësisë personave juridik për 1 deri në 15 vite.

Madje ka akuzuar Thaçin se një vendim i tillë është i kundërligjshëm dhe për bazë ka interesat partiake.

“Çështja ka të bëj me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë, me shkelje flagrante. Ajo pronë gjendet në zonën ku ka qenë i ndërtuar hoteli Viciano. Në lidhje me këtë, Nehat Thaçi ka marrë vendimin për dhënien në shfrytëzim personave juridik nga 1 deri në 15 vite. Një vendim i tillë është i kundërligjshëm dhe ka për qëllim interesat e ngushta dhe përfitimet materiale”, ka thënë Haxhiu para mediave.

Kësisoj, bashkë me zv/ministrin, Blerim Sallahu ajo paralajmëroi shkarkimin e Thaçit.

Ndryshe, Thaçi ishte zgjedhur drejtor i SHKK-së në vitin 2018 në kohën e qeverisjes së PAN-it.