Presidenti i Superligës: Nëse mendoni se kjo garë ka vdekur, jeni absolutisht gabim

Presidenti i Superligës, Florentino Perez, ka zbuluar shumë gjëra në intervistën e tij të fundit në El Larguero.

Superliga ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se është suspenduar, mirëpo Perez beson se kjo garë do të vazhdojë.

“Nëse mendoni se Superliga ka vdekur, jeni absolutisht gabim”, është shprehur ai.

Tutje ai ka treguar se nuk ndjen ndonjë lloj frike nga organi më i lartë i futbollit, UEFA ose FIFA. “Unë nuk kam frikë nga UEFA dhe FIFA. Gjëja e vetme që do të ndryshojë është vetëm Liga e Kampionëve dhe jo gjërat në ligat paraprake për klubet e Superligës”.

Më pas, Perez ka komentuar edhe paraqitjet të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin: “Unë dua që Presidenti i UEFA-s të jetë një person i edukuar, i cili nuk fyen dhe që nuk flet siç bëri ditën tjetër. Ne jemi në një Evropë demokratike. Ai duhet të jetë një shembull”.

74 vjeçari ka thënë se asnjë klub nuk është larguar zyrtarisht nga Superliga, klubet kanë nënshkruar kontratë dhe për t’u larguar nevojitet të paguajnë një shumë të madhe parash. “Askush nuk ka paguar një gjobë për largimin nga Superliga, sepse ata nuk u larguan akoma. Por nëse e bëjnë, natyrisht ata do të paguajnë një gjobë”.

Real Madrid do të bashkëpunojë me të gjitha klubet në Superligë sipas Perezit: “Është e pamundur që të krijojmë kënaqësi për të gjitha klubet, por ne do të bashkëpunojmë me secilin që është në Superligë. Kjo është ajo se çfarë bëjmë ne si Real Madrid. Gjithmonë jemi të hapur për të bërë gjithçka në mënyrë që të përmirësojmë futbollin edhe më shumë”, tha ai.

Edhe pse klubet e Premierligës, Arsenal, Manchester United, Chelsea, Liverpool, Tottenham, Manchester City kanë njoftuar përmes komunikatave zyrtare, duket se akoma nuk janë larguar nga Superliga dhe nuk dihet e ardhmja e tyre.