Deri tani mbi 3 mijë të moshuar janë vaksinuar kundër Covid-19

Në qendrën e vaksinimit “1Tetori” në Prishtinë vetëm sot janë vaksinuar 65 persona, prej tyre 47 kanë qenë persona mbi 75 vjeç me sëmundje kronike, 12 të moshuar mbi moshën 80 vjeçe, 6 profesionistë shëndetësor.

Kështu ka njoftuar në një konferencë për medie koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi i cili tha se deri më sot janë vaksinuar 3072 të moshuar.

Ndërsa, tregoi se vaksinimi për profesionistët shëndetësor është duke vazhduar tutje.

“Aktualisht nga data 8 prill deri më sot kur kemi filluar nga sot kur kemi filluar me mosha 85 e mbi 80 e deri në 75 me sëmundje kronike kemi gjithsej të vaksinuar 3072 persona. Përderisa, vetëm në ditën e sotme kemi 65 të vaksinuar, prej tyre me sëmundje kronike 47 ndërsa, 12 ishin te moshuar mbi moshën 80 vjeçare dhe kemi 6 profesionistë shëndetësor që kanë marr” tha Bardhi.

Bardhi tha se nga momenti kur ka nisur vaksinimi i qytetarëve të Kosovës më 29 mars e deri më sot, janë vaksinuar afër 21 mijë qytetarë, derisa vetëm në qendrën e vaksinimit “1Tetori” dozën e parë të AstraZenecës e kanë marr 5600 persona.

“Nëse i referohemi nga data 29 mars e deri më sot atëherë ne kemi një shifër prej 5600 të vaksinuarve në qendrën “1Tetori” por nëse flasim në nivel vendi atëherë ne jemi afër 21 mijë dozave të plasuara tek personat në Kosovë”, tha ai.

Më 28 mars Kosova ka pranuar 24 mijë dozat e para të AstraZenecës donacion nga COVAX. Prioritet për vaksinim për këtë fazë kanë personeli shëndetësor dhe personat e moshuar.