Sveçla pret komandantin e KFOR-it, dakordohen për bashkëveprim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim njoftues komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Franco Federici.

Ai ka falënderuar Federicin për bashkëpunimin dhe mbështetjen që KFOR-i i ka ofruar vazhdimisht Kosovës dhe theksoi rëndësinë që KFOR-i ka në sigurinë e vendit.

Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë ai gjithashtu njoftoi Federicin lidhur me prioritet e tij si luftimin dhe parandalimin e krimit dhe korrupsionit, rritja e integritetit institucional si dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit theksuan se mbështetja e ndërsjellë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe KFOR-it është shumë e mirë dhe shprehën gatishmërinë që ky bashkëveprim të vazhdojë edhe më tej.