Gjermanët protestojnë kundër ligjit të ri për izolim

Qindra persona protestuan të mërkurën në Berlin kundër një ligji që pritet të votohet në kuvend për t’i dhënë kompetenca qeverisë qendrore për të vendosur izolim në zonat me shkallë të lartë infeksionesh.

Kancelarja Angela Merkel vendosi që ta hartojë ligjit që nxiti kritika nga kundërshtarët politikë, të cilët kanë thënë se i kufizon liritë personale, pasi 16 shtetet federale refuzuan të vendosin masa të rrepta izolimi pavarësisht shtimit të rasteve me Covid-19.

Në mesin e masave pritet të jenë ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, kufizimi i tubimeve private dhe kufizimi i dyqaneve e qendrave sportive. Shkollat do të mbyllen dhe nxënësit do t’i kthehen mësimit “online”, nëse shënohen më shumë se 165 raste për 100 mijë banorë, shkruan Reuters.

Qindra protestues, pak prej tyre me maska, u grumbulluan në një ditë me diell afër Portën se Brandenburgut, jo shumë larg ndërtesës së Bundestagut, në qendër të Berlinit.

Protestuesit valëvitën flamuj gjermanë dhe parulla me mbishkrimet “paqe” dhe “demokraci” si dhe lëshuan muzikë. Veturat e policisë ishin të parkuara në rrugë, ndërsa policët vëzhgonin.

Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj masave që e kërcënojnë lirinë e lëvizjes për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste. Protesta kundër ligjit të ri jë javët e fundit janë mbajtur në disa qytete në mbarë vendin.