Receta e humusit perfekt me djathë të bardhë dhe spinaq

Provojeni ta shoqëroni me pite apo bukë të thekur dhe do të mrekulloheni me shijen e tij.

Humusi po merr një famë përtej Lindjes së Mesme dhe kjo falë shijes unike që kjo recetë sjell në tryezë.

Receta klasike përgatitet duke përdorur qiqra, salcë susami, lëng limoni dhe hudhër, ama mund të shtoni perime madje edhe fruta nga më të ndryshmet.

Baza kremoze që ofron humusi është perfekte për të shoqëruar drekat të cilat përmbajnë receta mishi.

Por nga ana tjetër humusi është një recetë perfekte për të shoqëruar perimet e freskëta gjithashtu edhe bukën e thekur.

Provojeni ta shoqëroni me pite apo bukë të thekur dhe do të mrekulloheni me shijen e tij.

Përbërësit
1 gotë me qiqra të ziera

2 lugë gjelle me salcë susami

Gjysmë gote uji me spinaq të freskët

1 lugë çaji me hudhër të grirë

3 lugë gjelle me vaj ulliri

3 lugë gjelle me lëng limoni

150g djathë të bardhë

Spec djegës

Përgatitja
Për përgatitjen e humusit salca e susamit është shumë e rëndësishme, pasi i jep dhe shijen unike.

Zakonisht kjo salcë mund të gjendet edhe në markete, por ju mund ta përgatisni fare lehtë edhe në shtëpi.

Mjafton të blini fara susami të freskëta dhe t’i piqni ato derisa të marrin një ngjyrë të artë në tigan.

Kini kujdes që zjarri të jetë mesatar ose i ulët, në mënyrë që farat e susamit të mos digjet, por të lëshojnë vajin e tyre.

Pasi t’i keni pjekur kalojini në grirësen elektrike të perimeve dhe ndizeni atë në nivelin më të lartë.

Do të shihni që ngadalë farat e susamit do të krijojnë salcën.

Këtë salcë më pas mund ta përdorni për recetën e humusit thjesht duke shtuar po tek grirësja përbërësit e tjerë.

Pra shtoni qiqrat, spinaqin, vajin e ullirit, lëngun e limonit, hudhrën, djathin dhe pak spec djegës për t’i dhënë shije.

Siç e shihni kjo recetë nuk kërkon kripë, pasi djathi ka përqindjen e tij të kripës e cila krijon shijen e mirë.

Pasi të keni grirë çdo gjë, rezultati do të jetë një salcë e plotë dhe kremoze.

Këtë salcë mjafton që ta vendosni në një tas të mbyllur dhe mund ta ruani të freskët në frigorifer.