Reagon Glauk Konjufca rreth mos-respektimit të masave antiCovid

Kryetari i Kuvendit të Kosovës,Glauk Konjufca ka reaguar pas raportimeve për mos-respektim të masave antiCovid-19.

Darkën për të cilën u raportua, Konjufca e konsideron të pa qenë dhe lajm të rremë dhe se fotoja e publikuar, ku shihet ai me disa aktivitë të të VV-së, është e datën 17 shkurt.

Mirëpo, në mbishkrimin e fotos së shpërndarë thuhet “falemnderit kryeparlamentarit për darkën”. Ai, më 17 shkurt nuk ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi në këtë pozitë erdhi më 22 mars 2021.

Postimi i plotë i Glauk Konjufcës:
Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë isha cak i një sulmi të disa portaleve (Metro, Periskopi, Insajderi, Infokus dhe Lajmi.net) përmes një lajmi të rremë. U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit për të ma mveshur një darkë të pa qenë.

Unë dje, së bashku me Presidenten dhe Kryeministrin, fillimisht isha në homazhe te dëshmorët e Prishtinës me rastin e ditës që u kushtohet atyre. Më pas vazhdova te varri i Adem Demaçit dhe dëshmorët e rënë në krye me Afrim Zhitinë. Pas kësaj shkova në Makoc për t’i nderuar të rënët e këtij vendi e të Gollakut. Vazhdova për ta përkujtuar Betejën e Marecit ku ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë mes 18 e 23 prillit të vitit 1999. Po këtë datë ishte edhe përvjetori i masakrës së Koliqit e Dyzit dhe unë isha atje po ashtu për të bërë homazhe. Dhe, në fund shkova edhe ne fshatin Ribar të Lipjanit meqë më 18 prill 1999 ushtria e policia serbe atje vrau 25 shqiptarë.

Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po sulmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë.
Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë.