Ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe tre të tjerët, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane, edhe një herë tjetër janë deklaruar të pafajshëm.
Në seancën e shqyrtimit kryesor që po mbahet sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit edhe një herë tjetër kanë mohuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kështu, seanca e shqyrtimit kryesor është duke vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.
Ndryshe, 14 janari 2020 është data kur për herë të fundit u mbajt gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, 5 marsi 2020 është data e fundit në të cilën u mbajt seanca ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë të lartcekur janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tentativë për mbajtjen e gjykimit ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqijës e tre të akuzuarve tjerë ishte bërë me 26 shkurt 2020, por gjykimi nuk ishte mbajtur pasi trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë.
Paraditen e pasditen e 4 gushtit 2020 ishte paraparë që të mbaheshin seancat për këtë lëndë, ku paradite pritej që para gjykatës të dilte Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri. Kurse, pasdite ishte paraparë të mbahej seanca ndaj të akuzuarve tjerë, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Mirëpo, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se seancat ishin anuluar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia globale, COVID-19.
Për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, kishte kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, kishte dështuar të mbahej edhe gjykimi i paraparë për 7 shtator 2020 ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, dhe tre të akuzuarve të tjerë.
Pas kalimit të gjykatëses Krasniqi-Jashanica në Departament të Përgjithshëm, këtë rast ishte caktuar gjykatësja Fatime Dermaku e cila ishte caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.
“Ju njoftojmë se gjyqtarja Naime Krasniqi është caktuar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, ndërsa lëndën në fjalë do ta gjykojë gjyqtarja Fatime Dermaku e cila me vendim të Kryetares së Gjykatës është caktuar në Departamentin për Krime të Rënda”, kishte thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për “Betimi për Drejtësi” lidhur me këtë çështje.
Gjykatësja Dermaku e kishte caktuar 11 marsin 2021 për mbajtjen e seancës së radhës, mirëpo e njëjta kishte dështuar për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, e ka njoftuar gjykatën se në të njëjtën kohë dhe njëjtën gjykatë ka një seancë tjetër, për të cilën, sipas tij për datën e seancës ishte njoftuar më herët se në këtë rast.
Kurse, seanca e 30 marsit 2021 dështoi të mbahet si pasojë e mungesës së të akuzuarit Astrit Haraqija.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi/