Një muaj paraburgim për Vali Corleonen

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit P. C.

Bëhet fjalë për personazhin e njohur nga Gjilani, Vali Corleone.

Për Vali Corleone Gjykata thotë se ka dyshim të bazuar që në shtëpinë e tij janë gjetur armë automatike të llojit “Scorpion”, me 5 karikatorë e 118 fishekë.

Gjithashtu, për të dyshohet se ka pasë në posedim gjithashtu edhe substanca narkotike (8 qese) kokainë, shkruan lajmi.net.

Ky është njoftimi i plotë i Gjykatës:

Mbante armë dhe substancë narkotike në shtëpi, Gjykata e dërgon në paraburgim

Gjilan, 16.04.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit P. C.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, me datë 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me (5) pesë karikatorë dhe njëqindetetëmbëdhjetë (118) fishekë të kalibrit 1.65 mm. Po ashtu në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë janë gjetur (8) tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.

Meqenëse i pandehuri është një recidivist i veprave penale, po të gjendet në liri mund të kryejë vepra tjera penale.