Ministrja e Arsimit, Abrërie Nagavci ka njoftuar se nga e hëna në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.
Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky vendim është marrë në bashkëpunim me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë”, ka shkruar Nagavci.
Postimi i plotë:
Nga e hëna, me 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.
Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore.
Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë.
Komunat kanë njoftuar se janë të gatshme të vazhdojnë procesin mësimor sipas këtij vendimi, ndërsa gjatë fundjavës do të vazhdohet me dezinfektimin e objekteve shkollore dhe do të jenë gati për vazhdimin e mësimit me pjesëmarrje fizike të nxënësve.
Ftoj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin mësimor, që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.
Shëndet e suksese!