Sot do të mbahet takimi i Këshillit të kryetarëve komunal lidhur me masat e reja antiCOVID-19, që do të përfundojnë më 18 prill.
Në këtë takim kryetarët e komunave do të japin rekomandimet e tyre se si duhet të veprohet më tutje.
Ndryshe, nga Qeveria e Republikës së Kosovës javën që lamë pas ka marr vendimin për masat e reja me qëllim të kontrollit, parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID–19.
Ndër masat e reja janë ndalim qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00-05:00 përveç në rastet emergjente, ndalimi i aktiviteteve të gastronomisë përveç shërbimit “merr me veti” si dhe kalimi në formën online të mësimit për ciklin parauniversitar dhe universitar.
Me këto masa ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.
Në vendim thuhet se institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret).