Nga 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale, 11 % janë nën 18 vjeç

Nga 345 raste të dokumentuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 11 për qind e rasteve kanë ndodhur kur të dhunuarat kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, raporton Ekonomia Online.

Këto të dhëna janë bërë të ditur në publikimin e raportit E DREJTA PËR TË VËRTETËN – “VIKTIMAT PA EMËR”, i publikuar nga  Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)

Fatmire Haliti, udhëheqëse e këtij grumbullimi tha që të dhënat janë mbledhur nga 345 të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.

“Gjatë këtij grumbullimi, janë intervistuar 345 të mbijetuar, dhe vlen të ceket që 11% e rasteve që janë evidentuar dhe që në kohën e përjetimit të dhunës seksuale  janë nën moshën 18 vjeçare”, tha Haliti.

“Nga 345 rastet e dokumentuara, 325 janë  gra e vajza dhe 20 janë burra e djem. Nga rastet e dokumentuara 6% e viktimave i përkasin komunitetit jo-shumicë(romë, boshnjak, ashkali e egjiptian), 11% e rasteve të dokumentuara janë fëmijë të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18 vjeçare. Dhunimet gjatë luftës më shumë kanë ndodhur në fshatra se sa në qytete, 63% në fshatra ndërsa 37% në qytete”, tha ajo.

Drejtoresha Feride Rushiti, tha se qëllimi i  publikimit të këtij dokumentimi  ka ardhur si pasojë e mungesës së punës dhe dëshirës për këtë grumbullim nga institucionet.

“Është e rëndësishme ky grumbullim pasi institucionet kanë dështuar në grumbullimin e këtyre të dhënave që më vonë pastaj  tu shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që të dinë për të kaluarën e luftës dhe dhunën e bërë”, tha Rushiti.

Këtë dokumentim tashmë mund edhe ta shihni në detaje përmes platformës online në faqen e QKRMT-KRCT

Rushiti tha që sot ka përkuar pikërisht që në këtë datë 14 prill, sepse po ne këtë ditë është dhunuar Vasfije Krasniqi nga dy dhunuesit e saj. dhe që kanë marrë edhe konfirmimin nga Presidentja që kjo ditë të jetë zyrtare, ditë që i kujton gratë e dhunuara gjatë luftës.