Masat antiCOVID-19 po vazhdojnë të mos gjejnë zbatim në Kosovë. Vetëm gjatë së dielës policia ka shqiptuar 835 gjoba për mosrespektim të masave antiCOVID-19.
Kështu njofton Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Ndërkohë që Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 12 vdekje dhe 529 raste të reja me COVID-19.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.413 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 529 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (85, 62, 57 vjeç), Vushtrri 3 raste (79, 71, 68 vjeç), Drenas 1 rast (66 vjeç), Ferizaj 1 rast (63 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (73 vjeç), Kamenicë 1 rast (81 vjeç), Lipjan 1 rast (68 vjeç), Rahovec 1 rast (61 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 97.996 raste nga 475.417 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.988 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 503 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 82.064 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.944”, njofton IKShPK.