Kurti njofton se ka patur takim në vikend me kabinetin qeverisës: Do ta jetësojmë ndryshimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se vikendin që lamë pas ka patur një punëtori me kabinetin qeverisës.

Kurti ka njoftuar se është diskutuar strategjia dhe plani i veprimit për katër vitet e ardhshme.

“Të shtunën dhe të dielen, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht.

Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.
Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim” shkruan Kurti në njoftim.