Abdixhiku kritikon Kurtin për pjesëmarrje në zgjedhjet në Shqipëri: Qeveria ka braktisur njerëzit e vet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe deputetët nga Vetëvendosja për pjesëmarrjen në fushatën për zgjedhjet në Shqipëri.

Abdixhiku thotë se qeveria i ka braktisur njerëzit e vet, duke theksuar se po tregohet papjekuri në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë po vdesin në Prishtinë e të moshuarit e të rrezikuarit nga COVID-19 presin të vaksinohen.

Kryetari i LDK-së thotë se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet. Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”, ka shkruar Abdixhiku.