Vala e tretë, cilat vende janë goditur më shumë

Die Geschaefte aller Art sind in der Altstadt von Luzern wieder geoeffnet, wie hier die American Boutique Bijou, anlaesslich der Wiedereroeffnung der Geschaefte, am Montag, 1. Maerz 2021, in Luzern. Kleiderlaeden duerfen in der ersten Etappe zur Lockerung aus dem Lockdown durch den Bundesrat am 1. Maerz wieder oeffnen. (KEYSTONE/Urs Flueeler)

Kjo është ajo që vihet re, sot, në kontinentin Evropian, në një kohë kur spitalet po mbushen njëri pas tjetrit dhe mutacionet e reja po bëhen edhe më ngjitëse (i referohemi këtu më së shumti variantit “britanik” B.1.1.7).

Ajo çka po e përkeqëson më shumë këtë situatë është fakti se shumë vende evropiane nuk po ecin më ritme të shpejta në procesin e vaksinimit, për shkak të mungesës së vaksinave. Po ashtu edhe lodhja e qytetarëve nga bllokimet e rëndon më tej situatën.

Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i pandemisë, Evropa po përjeton një pranverë shumë të vështirë, me raste të reja, shtrime në spitale dhe ICU, si dhe vdekje në rritje në shumë vende.

Në Francë, kryeministri Jean-Castex tha se “epidemia po përhapet shpejt dhe po përhapet kudo”, duke bërë që Presidenti Emanuel Macron të deklarojë një bllokim të tretë kombëtar. Brenda dy javësh numri i rasteve në vend u rrit me 55% duke e çuar numrin ditor të rasteve të reja në rreth 38,000 në 24 orë.

Gjatë së njëjtës periudhë rritja në Belgjikë ishte 95%, në Gjermani 75% dhe në Holandë 48%. Në një farë mase, këto rritje pasqyrojnë faktin se më shumë teste diagnostikuese po kryhen në këto vende, transmeton TCH, përcjell albinfo.ch.

Shkaktari kryesor i valës së tretë pandemike evropiane konsiderohet të jetë përhapja e shpejtë e variantit B.1.1.7 të koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Angli vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, panorama e pandemisë në Evropë shihet komplekse, pasi në disa vende situata po përkeqësohet, në të tjerat duket se ka arritur një kulm, ndërsa në më pak vende ajo është në rënie.

Sidoqoftë, grafiku i përgjithshëm me treguesit epidemiologjikë është në rritje dhe zbulon një Evropë që po lufton me valën e tretë. Shtrimi i qytetarëve në njësinë e Kujdesit Intensiv (ICU) është vazhdimisht në rritje në disa vende (Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani), ndërsa në Poloni dhe Hungari ajo ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i pandemisë.

Në Gjermani, vendi më i populluar i Evropës, “që nga mesi i Marsit, më shumë se 1000 pacientë janë pranuar në ICU-të e vendit”, sipas Dr. Christian Karagiannidis, kreu i Shoqatës Gjermane të Kujdesit Intensiv. Ai paralajmëron se nëse pranimet në ICU vazhdojnë me këtë ritëm “ne do të arrijmë kufijtë e kapacitetit tonë në më pak se katër javë”.

Ndërsa të moshuarit vaksinohen dhe gradualisht fitojnë mbrojtje, pacientët e rinj që janë infektuar me Covid-19 po luftojnë për jetën e tyre në spitalet evropiane. Kancelarja gjermane, Angela Merkel thekson se “tani janë pacientët e moshës mesatare dhe më të rinj që duhet të intubohen”.

Në Spanjë dhe Itali, situata po përkeqësohet, kurse në Poloni, vala e tretë ka rezultuar më e keqe se dy të mëparshmet. “Këto janë ditët më të këqija të pandemisë që kemi pasur”, tha Ministri polak i Shëndetësisë, Adam Nijilski javën e kaluar.

Nga vendet e tjera të Evropës Lindore, Hungaria ka vdekjet më të larta të koronavirusit për frymë në Bashkimin Evropian dhe një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë në të gjithë botën. Në Sllovaki, rastet kanë arritur kulmin e tyre, ndërsa vetëm në Republikën Çeke, pas një bllokimi shumë të rëndë, fillon të vihet re një kurbë rënëse.

Sipas vlerësimeve, përhapja e variantit britanik B.1.1.7 është aq e shpejtë saqë tani në Evropë rreth tre në katër raste të reja (75%) janë për shkak të tij dhe përqindja po tregon vazhdimisht një trend rritës.