Në oborrin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës veçse kanë filluar të mblidhen protestuesit të cilët po kërkojnë përjashtimin e Ardian Kastratit nga ky universitet, në të cilin është ligjërues.
Një numër i studentëve tashmë po qëndrojnë në oborrin e rektoratit ku edhe pritet të fillojë kjo protestë.
E gjithë kjo po bëhet pasi Ardian Kastrati, njëherësh edhe deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës mbrëmë publikoi një status në të cilin për thelb kishte bullizimin për peshën e një gruaje, e që në bazë të reagimeve kishte të bënte me presidenten, Vjosa Osmani.
Për këtë arsye është paralajmëruar edhe protestë sot për në ora 11:00.
“Pas një konsultimi të aktivistëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor. Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit”, shkroi Rron Gjinovci në Facebook, i cili udhëheq me ORCA, organizatë për rritjen e cilësisë në arsim.