Presidentja Osmani kujton masakrën e Rezallës: Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit të vihen para drejtësisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në 22 vjetorin e masakrës së Rezallës tha se më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit dhe 98 djem e burra i ekzekutuan mizorisht.

Osmani në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.

Presidentja Osmani thekson se nuk do të ndalen së kërkuari vendosjen e drejtësisë.

“Drejtësi për Rezallën!

Në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.

44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.

Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.

22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!

Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit!

Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës!”.