Kusari-Lila: Si fillim seanca për ndryshimin e ligjit për zgjedhje, më pas ajo për Presidentin e Kosovës

Janë duke vazhduar zhvillimet në kuadër të institucioneve të vendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se Grupi Parlamentar i VV-së ka përfunduar të gjitha përgatitjet për të dorëzuar nënshkrimet që kanë të bëjnë me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Ky projektligj ka të bëjë me votimin e mërgatës kosovare në Ambasada e Konsullata, meqë rast Kusari-Lila tha se mërgimtarëve do t’u lehtësohet procedura e votimit.

Gjithashtu e njëjta konfirmoi se tashmë kanë paraqitur kërkesën për dy kandidatura për President të Kosovës, ku kandidatja e parë e cila ka nënshkrimet e nevojshme të Kuvendit për Presidente është Vjosa Osmani dhe kandidati i dytë është Nasuf Bejta.

“Të dy kërkesat janë dërguar në sekretarinë e Kuvendit dhe do të vazhdojmë më procedurën e Kryesisë. Takimi me Kryesinë e Kuvendit do të fillojë për pak ku do të diskutohet amandamentimi për ligjin për zgjedhjet në Kosovë.Kemi bërë kërkesë që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, për amendamentimin e ligjit për zgjedhjet”, tha ajo, shkruan lajmi.net.

Tutje Kusari-Lila deklaroi se pastaj varësisht afateve kohore do të procedojnë edhe kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.

“Dhe pastaj varësisht nga afatet kohore do të procedojmë edhe kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.Nëse kjo përfundon brenda pak orëve me vullnetin e deputetëve që duhet të jenë prezent në votim, ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën e radhës për votimin e presidentit”.